
Në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit, virusi i Etheve të Nilit Perëndimor po qarkullon gjatë muajit të fundit. WEST NILE VIRUS transmetohet nga pickimi i mushkonjave të zakonshme që janë të infektuara. Ky virus i përket familjes së Arbovirus-eve dhe ka një genomë monoklonale ARN-je. U izolua për herë të parë në zonën e Nilit Perëndimor në Uganda në 1937, nga ku mori dhe emrin.
Në 80% të rasteve, infeksioni është asimptomatik, në 20% të rasteve shkakton temperaturë, dhimbje koke, të vjella, dobësi muskulare dhe ekzantemë në lëkurë (kryesisht në shpatulla dhe gjoks). Në 1% të rasteve mund të manifestohen simptoma të sistemit nervor qendror si encefaliti dhe meningiti dhe shumë rrallë mund të shkaktojë vdekje (më pak se 1/1000 raste). Mushkonjat e marrin virusin nga gjaku i zogjëve të infektuar, të cilët gjithashtu janë mbartës të virusit.
Nuk ka vaksinë për njerëzit, dhe as terapi specifike. Mjekimi është simptomatik dhe përcaktohet nga klinika dhe graviteti i saj. Testet laboratorike përfshijnë antikorpet IgM dhe IgG. Antikorpet IgM shfaqen 8 ditë pas infeksionit dhe mund të kryhen në gjak dhe në likidin cerebrospinal për pacientët që kanë prekje të sistemit nervor qendror. Analiza e antikorpeve IgM është analiza e parë që kryhet te pacientët me simptoma, nëse pacienti nuk ka simptoma, këto teste nuk rekomandohen. Pozitiviteti i IgM tregon se pacienti është i prekur nga virusi. Nëse IgM është negativ, testi përsëritet pas disa ditësh.
IgG analizohet gjithashtu së bashku me IgM. Pozitiviteti i të dyve tregon një infeksion të tanishëm nga virusi. Pozitiviteti i vetëm i IgG tregon një infeksion të kaluar, muaj ose vite më parë. Megjithatë, pas javës së tretë nga shfaqja e simptomave, IgG mund të jetë pozitiv ndërsa IgM negativ. Në këtë rast, interpretimi laboratorik bazohet në kritere shkencore.
Për të vlerësuar ecurinë klinike të sëmundjes, testi i IgM dhe IgG përsëritet pas 3-4 javësh për të parë nëse niveli i antikorpeve është rritur apo zvogëluar. Një rrugë tjetër transmetimi e virusit është përmes gjakut, nëse transfuzohet gjak nga një pacient i prekur tek një pacient tjetër. Nëse sëmundja shfaqet tek një fëmijë që ushqehet vetëm me qumështin e nënës, duhet të ekzamohet nëna për të konfirmuar rrugën e transmetimit përmes qumështit. Kjo është e rrallë, megjithatë, është e konfirmuar shkencërisht.
Metoda e PCR-së, e cila përcakton acidin nukleik të virusit përmes biologjisë molekulare, mund të përdoret gjithashtu për të detektuar virusin para shfaqjes së antikorpeve. Për shkak të periudhës më të zakonshme të shfaqjes së kësaj patologjie, e lidhur me shumimin dhe aktivitetin e mushkonjave, rekomandohet të merren masa për luftën kundër tyre. Është e rëndësishme të theksohet se kjo sëmundje transmetohet nga mushkonjat e zakonshme dhe jo nga ndonjë mushkonjë “speciale”.
Dr. Vasil Llajo
CEO Intermedica