
Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi (fasonet) shënuan vlera rekord edhe në tremujorin e tretë të vitit.
Kjo sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të cilat tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria shënuan për të dytin tremujor radhazi vlerën e 198 milionë eurove, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të vetëm. Të ardhurat nga këto shërbime janë rritur me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe vlerat progresive të 9-mujorit të parë përfaqësojnë nivelet më të larta historike. Për nëntë muaj, të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 592 milionë euro, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Statistikat e bilancit të pagesave tregojnë se të ardhurat e sektorëve të lidhur me shfrytëzimin e forcës së punës janë më të larta se kurrë më parë. Megjithatë, nga ana tjetër duhet thënë se rritja e të ardhurave, e shprehur në lekë, është gërryer nga efekti i kursit të këmbimit. Nëse shohim shifrat paralele të INSTAT, të shprehura në lekë, ecuria e eksporteve të sektorëve kryesorë të lidhur me fasonerinë paraqitet më e dobët.
Grupi “Tekstile dhe këpucë” për 10-mujorin 2023 shënoni një rënie të lehtë të eksporteve në masën 4.4% më pak krahasuar me një vit më parë.
Grupi tjetër, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, ka vijuar rritjen e eksporteve, me 3.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fasoneria është një nga kontribuesit kryesorë në ecurinë pozitive të llogarisë së shërbimeve në Bilancin e Pagesave. Ndërkohë që ka një bilanc të thellë deficitar në mallra, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të tregtisë së jashtme në shërbime.
Por tej të dhënave pozitive, sipërmarrësit ankohen se rënia e kursit të monendhës europiane në raport me lekun, ka vënë në rrezik punën e tyre. Duke shënuar jo vetëm ulje të të ardhurave për ta, por dhe duke reduktuar vendet e punës.