Pse Edi Rama dukej i kënaqur me tri opozitat e Komisionit

23 February 2022, 21:01Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE

Pse Edi Rama dukej i kënaqur me tri opozitat e Komisionit

Do të ishte një punë e mençur që dhe Edi Ramën ta mbanin sa më pak në Komisionin Hetimor. Mund t’i bënin katër- pesë pyetje thelbësore dhe ta përcillnin. Kjo do të ishte në dobi të opozitës. Por me sa duket dëshira për protagonizëm i mundi të tri opozitat e Kuvendit, përballë objektivit për të mundur Edi Ramën.

Problemi që kanë shumë politikanë apo gazetarë, kur përballen me Edi Ramën, është pikërisht se duan të impostohen që ta përballojnë atë, duke menduar të bëjnë batuta, ose të jenë agresivë.

Në fakt e vetmja mënyrë e thjeshtë të përballesh me të, është të jesh vetvetja, pasi në një betejë 8 orëshe si ajo e sotmja, nuk bëhesh dot 8 orë aktor, dhe harron edhe këshillat.

Dhe në këtë kurth ranë sot të trija opozitat e Komisionit.

Jorida Tabaku dukej se kishte bërë prova se si mund ta nervozonte Edi Ramën, duke i thënë “të lutem qetësohu”. Problemi është, se dukej aq qartë që ishte skenar për nervozizëm, sa nuk mund të mos e kuptonte Edi Rama, që e ka zanat atë punë.

Dhe kaq i duhej të mbante ekranin 8 orë bllokuar, duke i nervozuar të gjithë kundërshtarët, përfshi dhe kryetaren e Komisionit.

Belind Këlliçi, po ashtu kërkoi të kompensojë “Foltoren”, duke i marrë kohën Tabakut dhe duke komunikuar vetë direkt me Edi Ramën. Nuk ja kaluan keq me njëri-tjetrin dhe dukej se më i kënaqur ishte që “Foltorja” po merrte pjesën e vet të protagonizmit që i takon si opozitë, se sa që po zbulonte ndonjë gjë të re tek Edi Rama.

Helidon Bushati, pala e tretë brenda opozitës, që së bashku me Alfred Rushajn janë mbi dy palët e tjera, po ashtu u përpoq të tregonte se është një deputet që merr vesh nga tenderët, dhe përsëriti dhe ai pyetjet e veta, të cilat Edi Rama mezi i priste.

Në fakt, të tri opozitat në Kuvend, në finale i dhanë shansin Edi Ramës të përsëriste tri herë argumentet e tij, të çmontonte shifrat e vitit 2047, që i faturohen vitit 2017, dhe të bënte humor mjaftueshëm për t’u kuptuar pse ishte aq i vendosur të rrinte 8 orë para kamerave pa lëvizur.

E gjithë kjo erdhi vetëm nga fakti se të tri opozitat e Kuvendit, duke llogaritur dhe opozitën mbi palët, shpresonin të përdornin ekranin më shumë për promovim dhe garë ndaj njëri- tjetrit,  se sa për hetim serioz të çështjes së inceneratorëve përmes pyetjeve për kryeministrin.

Nuk është se dolën keq secila palë, përveç fillimit emocional. Problemi është se shumëzuan me 3, kohën që i dhanë Edi Ramës për t’u shfajësuar dhe për ta kthyer në gallatë këtë histori.

 


Video