Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, gjatë turit që po bëjnë nëpër bashkitë e Shqipërisë, flasin shpesh herë për ndihma që iu japin fermerëve, por në fakt ekziston një realitet tjetër ku fermerët detyrohen të hedhin prodhimin e tyre për shkak të mungesës së tregut dhe falimentojnë edhe për shkak të kostove të larta.
Fermeri nga fshati Kutalli në bashkinë Dimal Arben Dyli ka hedhur në plehra ditën e sotme qindra kuintalë kastraveca të prodhuara në serat e tij.
Ai i ka hedhur në shesh-depozitimin e plehrave në zonën e quajtur “Qafa e Sqepurit” duke i transportuar me kamioçinë.
Në videot e publikuar nga vetë fermeri Arben Dyli që disponon gjithashtu edhe një nga pikat më të mëdha të grumbullimit në këtë zonë, duket qartë momenti i ngarkimit të mallit të kalbur nga ana e punëtorëve.
Gjatë hedhjes së prodhimit, dëgjohet duke folur vetë fermeri Arben Dyli, i cili akuzon shtetin për këtë dëm të madh që po i shkaktohet fermerëve që po falimentojnë nga dita në ditë pasi puna dhe mundi i tyre po përfundon në koshat e plehrave për shkak të mungesës së tregut.