VENDIMI/ Qeveria jep 80 milionë lekë për “Durrah City Football Academy”!

28 May 2025, 22:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

VENDIMI/ Qeveria jep 80 milionë lekë për “Durrah City

Qeveria shqiptare miratoi së fundmi në Fletoren Zyrtare përdorimin e fondit prej 80 milionë lekë për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

Sipas vendimit të publikuar, fondet do të përdoren nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, konkretisht nga programi buxhetor “Për zhvillimin e sportit”, dhe do të transferohen në llogarinë bankare të fondacionit.

Vlen të theksojmë se edhe më herët, qeveria shqiptare kishte akorduar një fond prej 90 milionësh lekësh, për shpenzimet e vitit 2024.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

Përdorimin e fondit prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2026, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.

Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.“- thuhet në vendim.


Video