Filip Talo, personi i cili është spiunuar nga Ilir Meta në kohën e komunizmit, ka marrë këtë të premte të gjitha materialet që Sigurimi i Shtetit kishte për të.
Rreth orës 18:00 ai u largua nga Autoriteti i Dosjeve i shoqëruar nga një prej punonjësve të këtij institucioni, siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme të EuroNews Albania.
Filip Talo ka qenë shok fakulteti me Ilir Metën dhe sipas Autoritetit të Dosjeve, ky i fundit e ka spiunuar atë teksa tentonte të arratisej para viteve ‘90.
Vetë Talo ka mohuar të ketë qenë ish-presidenti Meta personi që e spiunoi. Por Autoriteti i Dosjeve mendon ndryshe.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, ku kërkonte ndryshimin e ligjit, autoriteti thotë se për presidentin i janë gjetur materiale në dosjet e ish-Sigurimit, që mund t’i kushtojnë certifikatën e pastërtisë.