Ish kryetari i Bashkisë Lezhë në kohën e PD-së, Fran Frrokaj është arratisur, pasi Policia nuk e ka gjetur në banesë.
Ai u largua nga salla e gjyqit ditën e sotme, pasi iu caktua dënimi për 3 vite burg. Ligjërisht ai duhet të ishte ndalua nga policia si në rastin e ish ministrit Tahiri.
Mësohet se Apeli i Shkodrës ka nxjerrë urdhër arresti dhe urdhër ekzekutimi vendimi. Burime bëjnë me dije se uniformat blu po vijojnë prej orës 13:00 kontrollet për të në Lezhë e Shkodër, por nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Ish-kryebashkiaku Frrokaj u shpall fajtor për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone. Ai dhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lezhës, akuzohen se kanë bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.