“Si joshen të rinjtë shqiptarë nga...”, The Times: Trafikanti i drogës u pa në selinë e PD si mbështetës i Berishës

3 September 2022, 14:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Si joshen të rinjtë shqiptarë nga...”, The Times:
Fation Dauti dhe ish-kryeministri Sali Berisha

“Si joshen të rinjtë shqiptarë nga droga dhe dhuna në Britani”, nën këtë titull britanikja ‘The Times” i ka kushtuar një artikull të rinjve shqiptarë të cilët ndjekin rrugën e krimit pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Në artikull, ‘The Times’ sjell edhe rastin e Fation Dautit, i akuzuar për disa vepra penale, të cilit i është ndaluar tashmë hyrja në Britani, ndërsa u pa në protestat e ish kryeministrit Berisha në tentativën e tij për të marrë selinë e PD-së.

Dauti u filmua nga kamerat, ndërsa shkelmonte një prej dyerve të brendshme të selisë, ku më pas ish kryeministri do të mbante një konferencë për mediat.

“Fation Dauti, i cili drejtonte një Bentley, iu sekuestrua rezidenca në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 pasi Agjencia Kombëtare e Krimit siguroi prova se ai ishte një lojtar kyç në biznesin e kokainës dhe kanabisit në Britani, i lidhur me trafikun e njerëzve dhe i akuzar për dhunë.

Megjithatë, ai nuk është akuzuar dhe avokati i tij, Hektor Lahi, tha për ‘The Times' se Dauti ka deklaruar gjithmonë se është i pafajshëm dhe po kërkon të drejtat e tij. Lahi tha se Dauti, 37 vjeç, po kundërshtonte ndalimin e Mbretërisë së Bashkuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Dhjetorin e kaluar, në Tiranë, Dauti u filmua përballë një turme mbështetësish të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në video, ai shihet duke shkelmuar derën e një salle takimesh në selinë e partisë së Berishës gjatë përleshjes mes fraksioneve rivale të partisë.

Në atë kohë, Partia Demokratike u nda në dy grupe rivale, njëra e udhëhequr nga Berisha, dhe kundërshtarët e tij që kishin mbyllur derën e sallës së mbledhjeve për të mos lejuar që mbështetësit e tij të mblidheshin atje.

“Dauti nuk e përfaqëson partinë në asnjë mënyrë. Ai ishte atje si aktivist”, tha një zëdhënës i partisë. Vetë Berishës i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për dyshimet se ai është i përfshirë në korrupsion, pretendime që ai i mohon.

Ai ka deklaruar se Britania e Madhe e ka akuzuar atë për “marrëdhënie me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar” dhe se ai ishte i gatshëm t’i përdorte këto lidhje” për të çuar përpara ambiciet e tij politike,”./The Times


Video