Shoqërohet në polici drejtori i ujësjellësit Shkodër. Reagon PD-ja e Berishës: Policia po vepron me urdhër politik të Ramës

30 May 2023, 23:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shoqërohet në polici drejtori i ujësjellësit Shkodër.
Foto ilustruese

Drejtori i ujësjellësit në Shkodër, Arvit Bushati, është shoqëruar në ambientet e Policisë në Shkodër.

Bushati ka qenë në një nga lokalet e qytetit kur është marrë nga patrulla e policisë drejt komisariatit. Nuk dihen ende arsyet e shoqërimit të tij në Policinë Shkodër.

Policia e Shkodrës bën me dije se ai është thirrur në polici për të dhënë një deklaratë, por pa saktësuar për çfarë çështjeje.

Për këtë ngjarja ka reaguar edhe ‘Rithemelimi’ i Sali Berishës, pasi Bushati është edhe nënkryetari i FRPD-së.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, “Rithemelimi” thotë se ky arrestim është bërë pa një shkesë zyrtare, duke akuzuar se është një urdhër politik i dhënë nga kryeministri Edi Rama. Sipas tyre, kjo është një formë e Ramës për të intimiduar dhe mbajtur nën presion atë pjesë të opozitës që nuk e nënshtron dot.

“Në një kohë kur krimi po bën ligjin dhe shteti shqiptar është gjunjëzuar përpara tij, policia e shtetit vijon ti bindet urdhrave politik. Pa asnjë shkresë dhe në mënyrë abuzive është ndaluar gjatë orëve të mbrëmjes nga policia e Shkodrës dhe është shoqëruar në komisariatin e Shkodrës  n/kryetari i FRPD së Shqipërisë Arvit Bushati. Efektivët e policisë pa asnjë shkresë, por vetëm nga urdhërat politik të shpërndara përmes telefonit bënë ndalimin e tij duke zgjedhur ti nënshtrohen kërkesave absurde të eprorëve, ndërsa bëjnë sehir përpara krimit që ka mbërthyer Shkodrën duke mbjellë pasiguri për qytetarët e saj. Kjo situatë kriminale ku për ligjin nuk pyet askush, është fytyra e vërtetë e qeverisë Rama e cila në gjithë këto vite ka zgjedhur që të bëhet palë me të keqen. Nuk është hera e parë që të tilla skena kryhen në Shkodër ndaj përfaqësuesve të opozitës, përmes ngjarjeve të inskenuara dhe tërësisht antiligjore, vetëm e vetëm për ti intimiduar dhe mbajtur nën presion. Edi Rama dhe bandat e tij me dhe pa uniformën e shtetit, por të sponsorizuara prej tij nuk do t’ja arrijnë të nënshtrojnë opozitën dhe mbështetësit e saj, përtej cdo skeme që do të tentojnë të vënë në zbatim. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit dhe të gjitha strukturave ligjzbatuese të qëndrojnë larg urdhërave politik pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë Edi Ramë që ti mbrojë përballë këtij skenari antiligjor që është ngritur në këto 10 vite në vend”, thuhet në reagim.

 


Video