Sherr mes tifozëve dhe Policia jashtë "Air Albania", disa të plagosur, përdoret gaz lotsjellës (FOTO)

19 July 2022, 22:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
 
Sherr mes tifozëve dhe Policia jashtë "Air Albania", disa
Situata jashtë "Air Albania"

Situata ka qenë tejet e tensionuar pas përfundimit të ndeshjes Tirana - Zrinjski Mostar, e vlefshme për Ligën e Konferencës, e cila përfundoi me rezultatin 0-1.

Jashtë stadiumit "Air Albania" policia ka tentuar të shoqërojë disa tifozë boshnjakë të cilët kanë hedhur disa mjete piroteknike në fushë, por ka hasur kundërshtimin e tyre.

Tifozët e Zrinjski Mostar kanë goditur efektivët e Policisë me karrige dhe shishe qelqi. Si pasojë e përplasjes janë plagosur disa persona, mes të cilëve dhe efektivë policie.

Uniformat blu kanë përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tifozëve dhe qetësimin e situatës. Mësohet se janë shoqëruar në komisariat dhjetra tifozë boshnjakë.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e Policisë lidhur me këtë ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 19.07.2022, në stadiumin "Air Albania", pas përfundimit të ndeshjes Tirana-HSK Zrinjeski Mostar i Bosnje Hercegovinës, gjatë daljes së tifozëve, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të shoqëruar disa tifozë të ekipit të Bosnje Hercegovinës, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë kanë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike.

Gjatë momentit të shoqërimit të tyre, pjesa tjetër e tifozëve të këtij ekipi, ka kundështruar me forcë dhe me sende të forta punonjësit e Policisë, për të mos lejuar shoqërimin e tyre.

Shërbimet e Policisë, për të neutralizuar aktet e dhunshme të tifozëve, kanë përdorur gaz lotsjellës për t'i shpërndarë ata.

Si pasojë e akteve të dhunës nga ana e tifozëve, është dëmtuar një punonjës Policie si dhe një tifoz, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Nga shërbimet e Policisë deri tani janë shoqëruar 25 tifozë.

Sqarojmë opinionin publik që nuk ka pasur të shtëna me armë dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Video