Është shtyrë ndeshja e Superkupës mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes! Ndeshja në Arabinë Saudite në stadiumin Al-Awwal të Riadit, duhej të fillonte në orën 18:45, por ekipet janë larguar.
Drama në Riad për Superkupën e Turqisë mes Galatasaray-t dhe Fenerbahçes zgjati për orë të tëra.
Objekt i mosmarrëveshjes është se të dyja skuadrat kundër vullnetit të sauditëve synonin të dilnin në fushë me pankartat “Paqe në shtëpi, paqe në botë” dhe bluza me imazhin e Kemal Mustafa Ataturkut, të cilin e respektojnë si “Babai i Atdheut”.
Administrata saudite nuk e miraton këtë dhe pas negociatave të gjata me përfaqësuesit e klubeve turke, duket se nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Gazetat turke raportojnë se sauditët kanë ndaluar edhe këndimin e himnit turk para dhe gjatë ndeshjes.
Sipas "TRT" të Turqisë, policia saudite ishte në dhomat e zhveshjes duke pritur lojtarët për të parandaluar një dalje eventuale në fushë me veshjet e mësipërme.
Gazetari turk Yağız Sabuncuoğlu ishte ndër të parët që dha informacione për shtyrjen e ndeshjes, duke thënë se "lojtarët e Galatasaray dhe Fener po kthehen në shtëpi".
Sakaq, krerët e Federatës Turke të Futbollit janë mbledhur për të diskutuar se çfarë do të ndodhë në vazhdimësi.