Antimafia Italiane (DIA) ka prezantuar ditën e martë raportin vjetor të Antimafias për vitin 2024. Sipas raportit, mafia italiane po braktis betejat rivale për supremaci për të bashkëpunuar në fushat e trafikut të drogës, prostitucionit dhe pastrimit të parave.
Organizata siciliane Cosa Nostra dhe Camorra e Napolit po krijojnë aleanca brenda dhe jashtë vendit, ndërsa Ndrangheta nga Kalabria është gjithnjë e më e përqendruar në kontrollin e projekteve të punëve publike.
“Bashkëjetesa ka çuar në sinergji të shprehur përmes formimit të strukturave të afta për të neutralizuar konfliktet, mosmarrëveshjet dhe tensionet”, tha drejtoresha e DIA-s, Michele Carbone, në konferencën për shtyp.
Raporti thekson se projektet e mëdha të punëve publike u kërcënuan nga infiltrimi i mafias, prandaj masat për të luftuar këtë organizatë kriminale u përqendruan në sektorin e ndërtimit në vitin 2024, ku u kryen 200 hetime në vendet për ndërtimin e projekteve publike.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e mafies po përdorin gjithnjë e më shumë rrjetet kineze të “bankave nëntokësore” për të pastruar para, tregon raporti i DIA-s.
Një kapitull të rëndësishëm në këtë raport e zë edhe “kriminaliteti shqiptar”. Në raport thuhet se kriminaliteti shqiptar po fiton terren gjithnjë e më shumë në Itali madje po fiton lidership dhe në trafikun e kokainës.
Sipas raportit, rrjetet kriminale shqiptare janë të shtrira në të gjithë territorin italian dhe kanë krijuar lidhje të forta me grupet mafioze italiane si “Cosa Nostra” siciliane, “Ndrangheta” kalabreze, “Camorra” napolitane, etj.
“Trafikimi i drogës mbetet biznesi kryesor i këtyre organizate kriminale, falë fitimeve të larta. Ky sektor forcohet më tej nga krijimi i lidhjeve të forta me organizata të tjera kriminale që garantojnë kanale të privilegjuara të furnizimit me narkotikë nga jashtë si Shqipëria dhe Spanja”, thuhet në raport.
DIA nënvizon se organizatat kriminale shqiptare karakterizohen si më komplekset, por edhe nga më të organizuarat.
“Krimi shqiptar përfaqëson një nga shprehjet më komplekse dhe të strukturuara të krimit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në një mënyrë të përhapur në të gjithë territorin kombëtar, veprojnë me qasje të larmishme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë shumetnike, kryesisht të dedikuara për krime kundër pronës. Megjithatë, të tjerë kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me metoda operative që në disa raste kujtojnë ato të mafies”, thuhet në raportin e DIA.
Sipas raportit një tipar dallues i organizatave kriminale shqiptare është përdorimi i dhunës, si për të zgjidhur konfliktet e brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet për frikësim dhe kontroll.
Ajo që tërheq vëmendjen se anëtarët e grupeve kanë lidhje familjare ose vijnë nga i njëjti rajon i Shqipërisë.
“Një karakteristikë e veçantë jepet nga përkatësitë, të cilat shpesh bazohen në lidhje familjare ose midis individëve me origjinë nga i njëjti qytet ose rajon i Shqipërisë. Këto lidhje forcohen nga kode të sakta sjelljeje që konsolidojnë strukturën e tyre të brendshme” – citon raporti.
Sipas antimafias italiane, trafikimi i drogës mbetet sektori kryesor i aktivitetit të krimit shqiptar dhe të ardhurat prej tij riinvestohen gjithnjë e më shumë në blerjen e aktiviteteve të ligjshme ekonomike dhe pasurive të paluajtshme. Për më tepër, provat hetimore konfirmojnë se bandat shqiptare janë të përfshira edhe në aktivitete të tjera të paligjshme, të tilla si trafikimi i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimin e prostitucionit dhe kryerjen e krimeve tatimore.
“Një hetim i kohëve të fundit nga Policia e Shtetit, i cili përfundoi më 7 dhjetor me arrestimin e dy individëve me origjinë shqiptare, ka treguar gjithashtu se si krimi shqiptar është shumë aktiv edhe në sektorë të përparuar siç është tregtia online e drogës. Në trafikimin e drogës, këto grupe etnike ndonjëherë veprojnë së bashku me grupe të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre të konsoliduar në nivel ndërkombëtar”, thuhet në raport për grupet mafioze shqiptare.
Ajo që veçohet është se grupet kriminale shqiptare janë të aftë të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të narkotikëve dhe që merren drejtpërdrejt nga kartelet e Amerikës së Jugut.
“Me importimin e sasive të mëdha të kokainës që synojnë furnizimin e qelizave të bashkatdhetarëve që veprojnë në qytetet kryesore italiane. Aftësia për të vepruar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese i ka mundësuar këtyre grupeve të ndërtojnë marrëdhënie të forta me Organizatat kriminale italiane, përfshirë ato të tipit mafioz. Shumë aktivitete kundër drogës, të zhvilluara në rajone të ndryshme italiane, kanë konstatuar sinergji të vërteta operative midis krimit të organizuar shqiptar dhe krimit vendas, të favorizuara nga rruga e qëndrueshme e lidhjes që ekziston midis brigjeve shqiptare dhe atyre puliane”, citon raporti.
Antimafia italiane nënvizon se “e ashtuquajtura “Rruga Adriatike” karakterizohet si një qendër për kalimin e narkotikëve nga Shqipëria në Itali dhe pjesën tjetër të Evropës, edhe sepse lehtësohet nga lidhjet ajrore me vendet e Ballkanit me pamje nga Adriatiku.
“Marrëdhëniet lehtësohen gjithashtu nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët janë kryesisht të përfshirë në furnizimin me drogë, duke ua lënë menaxhimin e tregtisë me pakicë organizatave kriminale italiane. Kokaina importohet në territorin italian nga deti dhe toka, nëpërmjet rrugëve kryesore evropiane të shpërndarjes, duke qenë në gjendje të mbështetet te subjektet e vendosura në Evropën Veriore, falë të cilëve, me kalimin e kohës, kanë arritur të depërtojnë në portet kryesore tregtare (Antëerp, Rotterdam dhe Hamburg)”, thuhet ndër të tjera në raportin e antimafias italiane.
Aty jepen raste të shumta të operacioneve që tregojnë lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me familjet mafioze italiane siç është Ndrangheta.
“Aftësia për të krijuar marrëdhënie për qëllime biznesi-kriminale demonstrohet në marrëdhëniet e mbajtura nga bandat e Ndrangheta-s me organizata të tjera kriminale. Gjetjet më të fundit konfirmojnë tendencën e bandave për të krijuar bashkëpunime utilitare me grupe me origjina të ndryshme mafioze, të justifikuara kryesisht nga rrethana specifike dhe jo nga një ndarje e konsoliduar e interesave kriminale, një situatë që reflektohet edhe në marrëdhëniet me grupet e huaja, veçanërisht me origjinë shqiptare”, përmbyll raporti.