Le të shkojmë dy vjet pas në kohë për t’u vendosur në fund të marsit 2020, në kulmin e krizës mbarëbotërore shëndetësore, ku shtetet gjendeshin në mes të valës më të rëndë të infeksioneve nga Covid-19 dhe shumë qeveri në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë, morën masa të paprecedenta dhe ekstreme si p.sh. izolimin e miliona njerëzve.
Nuk dinim asgjë për këtë virus të ri nga Kina, thashethemet u përhapën si flakë dhe, në këtë atmosferë konfuzioni dhe dyshimi, Organizata Botërore e Shëndetësisë përmes një postimi në Twitter deklaronte se SARS-CoV-2 nuk transmetohej nga ajri.
Ishte 20 Mars 2020 dhe ai gabim do të rëndonte besueshmërinë e OBSH-së për një kohë të gjatë... dhe akoma më shumë nëse marrim parasysh që ato deklarata janë ende online dhe mund të shihen nga të gjithë.

Muajt kaluan dhe autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë jo vetëm që nuk e korrigjuan gabimin, por u përfshinë në një proces të dëshpëruar debati, të heshtur dhe qesharak që u shtri në kohë.
Shoqatat, qendrat kërkimore dhe shkencëtarët nga e gjithë bota i kërkuan publikisht OBSH-së të ndryshojë pretendimet e saj për transmetimin e koronavirusit... por nuk pati asnjë përgjigje.
Viti 2020 kaloi ngadalë, ndërsa fatkeqësisht ishim dëshmitarë të rritjeve të infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Më pas erdhi viti 2021, me më shumë shpresë falë vaksinave, por me valë dhe variante të reja.
Kur gjithçka dukej se po kthehej në normalitet, Delta mbërriti për të na kujtuar se beteja kundër virusit nuk do të ishte aq e lehtë.
Koha kaloi, erdhën Krishtlindjet dhe ndërsa menduam se më në fund mund të bënim pushimin e merituar, në skenë hyri një variant i ri, Omicron.
Dhe kështu, një ditë para Krishtlindjeve, më 23 dhjetor 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë shqiptoi një fjalë që deri në atë moment e kishte shmangur “transmetim nga ajri”. Duket e pabesueshme, por në të vërtetë, e tha më 23 dhjetor 2021.
Një datë e vonuar që tregon mungesën e reflekseve të Organizatës, burokracinë e saj të tepruar dhe frikën për të pranuar një gabim, pasojat e të cilës janë të vështira për t'u përcaktuar.
Revista Nature sapo ka publikuar një nga artikujt e saj më të të drejtpërdrejtë dhe kritikë ndaj OBSH-së që nga fillimi i pandemisë.
Diferencat mes revistës dhe Organizatës janë të njohura dhe në korrik 2020, Nature botoi një artikull me titull “Dëshmitë sugjerojnë se koronavirusi transmetohet përmes ajrit, por kjo nuk është kapur ende nga autoritetet shëndetësore”, një shigjetë e drejtpërdrejtë ndaj OBSH-së. Me kalimin e kohës dhe ardhjen e studimeve të reja, "shigjetat" e "Nature" u bënë më precize, por OBSH-ja ende nuk reagoi.
"Mungesa e veprimit të OBSH nënkuptonte që edhe agjencitë kombëtare dhe lokale të shëndetit në mbarë botën ishin të avashta për të trajtuar kërcënimin ajror", thotë Nature.
“OBSH nuk ka arritur të komunikojë siç duhet ndryshimin gradual të pozicionit të saj. Si rezultat, nuk theksoi sa duhet herët dhe mjaft qartë rëndësinë e ventilimit dhe maskave në ambientet e brendshme, masa kyçe që mund të parandalojnë përhapjen e virusit përmes ajrit.
Këto kritika theksojnë se Organizata Botërore e Shëndetësisë është vetëkorrigjuar në heshtje muajt e fundit. Në vend që të thoshte më zë të lartë gabimet e saj, OBSH ka zgjedhur të modifikojë disa nga udhëzimet e saj, por pa thënë se në fillim gaboi. Deklaratat e prera të vitit 2020 janë ende online në shumë platforma, ndërsa, në faqen e saj zyrtare, i ka redaktuar në heshtje për t'i përshtatur me provat aktuale.
Kjo mënyrë jo e duhur e të vepruarit ngre shumë dyshime për të ardhmen.
“Zgjidhja e këtij debati, se si bëhet transmetimi i virusit të frymëmarrjes është i rëndësishëm”, përfundon Nature. “Një variant më vdekjeprurës se SARS-CoV-2 mund të shfaqet në çdo kohë dhe është pothuajse e sigurt që viruse të reja të frymëmarrjes do të prekin njerëzimin në një moment të caktuar. Por nuk është e qartë nëse OBSH do të jetë në lartësinë e detyrës”. Material i bazuar në artikullin e Revistës Nature/ VoxNews