Policia ka dalë me një komunikatë në lidhje me aksidentin e regjistruar pasditen e kësaj të diele, rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë - Prrenjas.
Autoritet bëjnë me dije se autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec - Prrenjas, është përplasur me automjetin tip "Benz", që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Si pasojë e aksidentit automjeti tip "Benz" është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të. Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.
6 të plagosurit ndodhen në spital, dhe dy prej tyre, që ndodhen në gjendje të rëndë, janë transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të përcaktuar shkakun.
