Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë operacionit për shembjen e shtëpive të “5 Maji” për shkak të rezistencës së banorëve janë dëmtuar në detyrë 8 punonjës të policisë së shtetit dhe asaj Bashkiake.
Sipas policisë “Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore”
“Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.
Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet veç të tjerash në njoftimin e policisë për mediat.