Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 57-vjeçarit Ismet Çekorja, ngjarje e ndodhur pasditen e të premtes në lagjen Kiras të Shkodrës.
Grupi hetimor duket se ka rrëzuar pistën e një hakmarrje të mundshme nga Alban Bruçi apo të afërmëve të tij, edhe pse për atentatit e dështuar ndaj këtij të fundit mbrëmjen e 25 Gushtit është shpallur në kërkim djali i viktimës Bajram Çekorja.
Policia ka rrëzuar këtë pistë, pasi pak ditë para se të vritej, Ismet Çekorja është takuar me babain e Alban Bruçit, pasi kishin lidhje shoqërore të hershme dhe familjet janë sqaruar me njëra-tjetrën se Bajram Çekorja, djali i viktimës nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit.
Efektivët ashtu si dhe vetë dy familjet e kanë të qartë tashmë se ngjarja ndaj Alban Bruçit nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Ismet Çekores.
Burime bëjnë me dije se tashmë po hetohet mbi konfliktet e mëparshme të Bajram Çekores, djali i viktimës. Dyshohet se Bajram Çekorja ka qenë i përfshirë në disa ngjarje të para disa viteve. Ky i fundit është ndaluar dy herë nga blutë e Shkodrës në vitin 2016 dhe 2019.
Pas vrasjes në Shkodër, blutë e kryeqendrës së Veriut shoqëruan 15 persona, mes të cilëve edhe Alban Bruçi, por më pas të gjithë u lanë të lirë.