Olsi Jazexhi kapet me “të vetët”, sulmon imamët që janë me NATO-n dhe Amerikën

21 February 2022, 20:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Olsi Jazexhi kapet me “të vetët”, sulmon imamët

Edhe pse është larguar nga Shqipëria (po jeton në Malajzi), Olsi Jazexhiu i ndjek me vëmendje zhvillimet që ndodhin në atdhe. Komentet e shumta në Facebook “i nënshkruan” me emrin virtual “Olsi Malajzi”. Postimet e fundit të tij kanë qenë shumë të ashpra, dhe në fokus ka patur “të vetët”, të cilët i qorton për leximin e shpenguar që i bëjnë Islamit, por edhe për një frymë kombëtare e moderne që manifestojnë në jetën e tyre, edhe pse mbahen si “deeply pious”. Imamin Ahmed Kalaja e quan “xhindi i rrugës së Kavajës”.

E ka edhe me imamët që thonë se “jemi me Skënderbeun e me NATO-n”. Në shënimin e fundit të lënë në Facebook para disa orësh bën një krahasim mes Islamit shqiptar në ditët e sotme dhe Islamit shqiptar në vitet ‘990, dhe i rezulton se në vitet ‘990 “ne ishim krenarë për Islamin; i shikonim njerëzit si persona që duhej t’i fusnim në Islam dhe jo si superiorë ndaj nesh. Islami ynë ne vitet ‘990 ishte i afërt me Islamin e Muhamedit dhe sahabëve (sahabët janë bashkëkohës të Muhametit, të cilët me ta parë këtë të fundit besonin te ai, e adhuronin dhe ishin të gatshëm të jepnin jetën për të). Muhamedi me sahabët e tij e çuan Islamin nga Kostandinopoja e deri në Persepolis; dhe nuk kishin turp edhe pse ishin beduinë dhe me shapka.” Ndërsa hoxhallarët e sotëm i quan “langaraqë, meskinë, mercenarë, fakira, injorantë”, e në sintezë, i quan njerëz që nuk janë krenarë për Islamin e tyre.

Olsi Jazexhi kapet me “të vetët”, sulmon imamët

“Janë njerëz që nuk adhurojnë Allahun, por adhurojnë Tagutin, njerëz që bëhen xhynybe kur shohin Gridën e Balluken dhe që dridhen sikur Avdullah Hoti përpara Trumpit kur shohin ushtarakë amerikanë, në vend se t’i përbuzin dhe t’i shohin si vrasës dhe okupatorë.” Me Tagut kuptohen perënditë pagane. Ndërsa xhynyb (një pjesë myslimanësh shqiptarë e quajnë “xhunub”) ka kuptimin i ndotur, edhe prej epshit.

Olsi i kritikon këta hoxhallarë si njerëz që jetojnë nga Islami, në një kohë që ata duhet të jetojnë për Islam. “Islami ka nevojë për njerëz që nuk besojnë se Amerika është zot, por për njerëz që besojnë se vetëm Allahu është zot dhe Muhamedi është profeti i Tij”.

Olsi Jazexhi kapet me “të vetët”, sulmon imamët

Më herët, në një shënim tjetër, ai denoncon faktin që një gjeneral amerikan ka hyrë pa bërë abdes në xhaminë e imamit Labinot Maliqi, që është konvertuar në pro amerikan kohët e fundit. Dhe thotë se “gjeneralin Matthew e vija më parë të merrte gusël (lahuta e serbëve), më pas abdes dhe e ulja në saf të fundit të dëgjonte Kuran dhe hadithe dhe në fund e vija të recitonte shehadetin (frazën: “Dëshmoj se nuk meriton kush adhurim pos Allahut dhe se nuk meriton kush pasim pos Muhammedit që është rob dhe i dërguar i Tij”). Sipas Jazexhiut, gjenerali amerikan e ka përdhosur xhaminë, pasi ka mbajtur fjalim mbi pavarësinë e Kosovës atje.



Video