"Nisen nga Peza me një Audi A8, Ervis Martinaj me një vajzë hyjnë në hotel", lëvizja e fundit e policit me të shumëkërkuarin

25 August 2022, 12:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Nisen nga Peza me një Audi A8, Ervis Martinaj me një vajzë
Ervis Martinaj

Jeton Lami me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, që shoqëroi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim para hetuesve, ndërsa Gjykata ka vendosur arrest me burg për të.

Jeton Lami akuzohet për ‘shpërdorim detyre” sepse ka shoqëruar dhe përkrahur një person të shumëkërkuar, nuk ka marrë masa për kapjen e tij dhe nuk ka informuar vendndodhjen e tij.

Mediat kanë zbardhur detaje nga dosja hetimore e policisë lidhur me veprimet e Jeton Lamit. Kështu, rezulton se “Lami, i cili ka detyrën e agjentit të Forcës Operacionale ka shoqëruar me një automjet luksoz “Audi A8″, Ervis Martinajn bashkë me një vajzë.

“Ata rezultojnë të jenë nisur nga Peza në drejtim të Durrësit në datën 5 gusht në orën 21:15 dhe me Lamin që i shoqëron teksa shihen duke hyrë në një hotel. Sipas të dhënave paraprake dhe pamjeve filmike të Prokurorisë së Kurbinit rezulton se Ervis Martinaj dhe vajza që e shoqëronte kanë dalë të nesërmen dhe janë shoqëruar nga oficeri dhe një person tjetër që nuk është identifikuar ende. Edhe vajza që e shoqëronte është marrë në pyetje. Pamjet e fundit të Ervis Martinaj janë në Tiranë më 7 gusht dhe më pas nuk dihet asgjë për të. Sipas familjes ai ka humbur kontaktet më datë 9 gusht”, zbuloi gazetarja e kronikës, referuar dosjes hetimore.

Ervis Martinaj edhe pse ishte në kërkim komunikonte në mënyra të ndryshme me familjen, ndërsa Prokuroria e Kurbinit po heton tashmë pistën e rrëmbimit të tij, por nuk përjashtohet inskenimi i ngjarjes, pas denoncimit të xhaxhait të tij Faik Martinaj.


Video