Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar një vlerë të inteligjencës kombëtare
“Lajmi i ndarjes së Fatos Nanos nga jeta më ktheu në kohët kur luftonim për ngritjen e institucioneve të rrënuara dhe konsolidimin e asaj që quajmë demokraci… E pavarësisht pozicioneve, herë asimetrike, ai të bënte të ndjeheshe kontribues i rëndësishëm; ndër aftësitë e tij kryesore.
Humbëm sot, vendi humbi, një vlerë të inteligjencës kombëtare, shpesh i paparashikueshëm, por gjithmonë i pranishëm me mendje dhe sy përtej asaj që dukej.
Me të ndaheshe, por nuk krijoje mëri kurrë, ndërsa mbetej leksioni i tij i tolerancës, përfshirjes dhe zgjuarsisë për të bërë hapin prapa me qëllim kërcimin para, si atletët e mëdhenj.
Ngushëllime familjes private e asaj socialiste. U prehtë në paqe!”, shkruan Gonxhja.