Gjatë seancës në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, një nga avokatet e të pandehurve në sallën e gjyqit pretendoi se u kërcënua me jetë nga i penduari, Nuredin Dumani.
Në kohën që gjykata vendosi të ndërpresë seancën për 10 minuta, avokatja mori fjalën dhe kërkoi të merren masa.
“Para se të ndërprisni seancën, lutem të dëgjoni procesverbalin audio të seancës. Teksa po flisnit i penduari më tha ‘do merrem dhe me ty, me ke ngelur ti pa vrarë’. Nuk mund të kërcënohemi kështu!”, ka qenë ky pretendimi i avokates.
Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.
Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë.
Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Dumani ka qene shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.
Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.
Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.
Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre.
Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.