Qeveria ka bërë edhe ndryshime në radhët drejtuese të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se është emëruar nëndrejtori i ri, Oljan Kanushi.
Sipas ministrit, është bërë plotësimi i një vakance që sipas tij kishte mbetur peng i një konflikti me institucionin e presidentit.
"Nuk kemi ndryshuar kreun e ri të SHISH, kemi emëruar nën drejtorin e SHISH Oljan Kanushi.
Eshtë bërë plotësimi i një vakance të mbetur peng për shkak të konfliktit mes presidentit dhe SHISH, me një vakancë që u plotësua sot", tha ai.
Oljan Kanushi, këshilltar i Edi Ramës në Kryeministri, emërohet në krye të Shërbimit Informativ në një moment kritik për vendin.
Shqipëria është sulmuar të paktën nga dy shtete armiqësore, një prej tyre gjunjëzoi për gati një javë të gjitha shërbimet online të Qeverisë Shqiptare. Po në këtë periudhë ku SHISH luan një rol kyç në sigurinë e vendit, drejtuesi Helidon Bendo nuk ndodhet në vend dhe nuk do ushtrojë detyrën e drejtorit të Përgjithshëm edhe për të paktën 10 muaj të tjerë.
Kreu i Inteligjencës shqiptare ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një kurs trajnimi me kohë të plotë 1 vjeçar. Prej shumë kohësh vendi i nëndrejtorit ka qenë vakant dhe Qeveria ka vendosur që në institucionin e rëndësishëm për sigurinë e vendit të çojë këshilltarin e Edi Ramës, Oljan Kanushi.