Kokainë me ‘call center’ nga Tirana, policia italiane shkatërron grupin e shpërndarësve në Itali

26 March 2022, 17:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kokainë me ‘call center’ nga Tirana, policia italiane
Foto ilustruese

Hetimet, sipas mediave italiane kanë nisur që në vitin 2019 dhe gjatë ndërhyrjes së prokurorëve dhe policisë janë kapur 11 kilogram kokainë e pastër me vlerë në treg rreth 3 mln euro. Grupi, sipas mediave italiane përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë që vepronin në zonën e Udines.

Nga hetimet dhe përgjimet e grupit, u zbulua se droga porositej përmes telefonatave, që priteshin në një call center ‘in bound’ në Tiranë. Punonjësit e call center më pas kontaktonin me telefon shpërndarësit në terren, të cilëve u komunikonin vendin, orën dhe sasinë e kokainës që duhet të dorëzonin.

Sipas mediave italiane, në dosje është provuar se kjo metodë është përdorur në të paktën 500 raste. Të punësuar ishin disa shqiptarë të cilët mbërritën në provincën e Perugias me synimin për të qëndruar në territor, në dispozicion të shoqatës, për tre muajt, aq sa lejohet nga viza turistike.

Gjatë aksionit u sekuestruan edhe 20 mijë euro, ndërsa droga e bllokuar ishte e ndarë në dy pjesë, një sasi me 6 kilogram, që dyshohet se do transportohej për në Gjermani dhe 5 kilogram të tjera për tregun italian.

Policia italiane thotë se nga 14 personat e shpallur në kërkim, 12 janë shqiptarë.


Video