Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-kreut të ARRSH Evis Berberi dhe të bashkëpunëtorit të tij Valter Begaj për zëvendësim te masës së sigurisë.
GJKKO vendosi vijimin e masës “arrest në burg” për të dy.
Ish-kreu i ARRSH mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 16 mars të vitit 2024. Bashkë me të në pranga u vendos edhe Valter Begaj edhe Ervis Lami.
Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga shkalla e parë, por Apeli i Posaccëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme.
Nga hetimet e organit të akuzës rezultoi se Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Eficencën e Energjisë por edhe në krye të ARRSH dha gjashtë tendera për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.
Dy biznesmenët Lami dhe Begaj dyshohet se në bashkëpunim me Berberin, kanë bërë shitje fiktive të kompanisë së ish kreut të ARRSH dhe veprime të tjera fiktive duke bërë të mundir fshehjen e veprës penale të korrupsionit.
Hetimi i SPAK tregon se përfitimi ka qenë rreth 2.2 milionë euro që u investuan nga kompania “DAAM” shpk, në pasuri të paluajtshme.