Ka 1.7 milionë euro të papaguar, Drejtoria e Tatimeve bën kallëzim në Prokurori për Birrën Tirana

12 Gusht 2022, 13:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Biznesmeni Irfan Hysenbelliu

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë Tiranë për kompaninë “Birra Tirana” që zotërohet nga Irfan Hysenbelliu. 

Gjatë kontrollit që Tatimet kanë bërë në këtë subjekt, kanë rezultuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh ligjore dhe se ka patur detyrime që arrinin në vlerën e rreth 188 milionë lekë ose 1.7 milionë euro.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Tatimeve, gjatë kontrollit të ushtruar gjatë muajve Janar–Prill 2022 ka rezultuar se shoqëria “Birra Tirana” sh.a. ka kryer shitje të produkteve pa dokumentacion tatimor në vlerën 18 milionë lekë, të konstatuara në kushtet e flagrancës.

Gjithashtu në njoftim thuhet dhe se detyrimet e prapambetura të subjektit “Birra Tirana” sh.a. lidhen me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatim-Fitimin, Tatimin e Mbajtur në Burim, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve nuk janë paguar që prej vitit 2019.

Për arkëtimin vlerës së prapambetur prej rreth 1.7 milionë eurove, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur masën e bllokimit të llogarive dhe pasurive të tjera në emër të kompanisë “Birra Tirana”.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në kuadër të zbatimit të detyrave funksionale për krijimin, sigurimin dhe mbledhjen e të ardhurave tatimore si dhe forcimin e luftës kundër evazionit fiskal ka ushtruar kontroll në subjektin “Birra Tirana” sh.a., gjatë të cilit kanë rezultuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh ligjore.

Kontrolli në këtë subjekt është iniciuar pasi ai kishte detyrime të prapambetura tatimore, që arrinin në vlerën e 1.7 milionë eurove si dhe për të kishte një denoncim të mbërritur në rrugë zyrtare pranë Administratës Tatimore.

Gjatë kontrollit të ushtruar gjatë muajve janar – prill 2022, ka rezultuar se shoqëria “Birra Tirana” sh.a. ka kryer shitje të produkteve pa dokumentacion tatimor në vlerën 18 milionë lekë, të konstatuara në kushtet e flagrancës. Ky subjekt ka kryer shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore bazuar në diferencat në inventar në:
1- Lëndë të parë Malto;
2- Produkt i gatshëm;
3-Ambalazhe;
4- Mallra pa dokumentacion tatimor (faturë tatimore) te distributorët.

Lidhur me shkeljet e konstatuara, DPT ka kryer kallëzim penal pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.

Ndërkohë detyrimet e prapambetura të subjektit “Birra Tirana” sh.a. lidhen me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatim-Fitimin, Tatimin e Mbajtur në Burim, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve nuk janë paguar që prej vitit 2019.

Detyrimet e këtij viti duhet të ishin shlyer brenda tre muajve të parë të vitit 2020 dhe ato përfshinin:

Rreth 127 milion lekë TVSH e paderdhur bashkë me gjobën për shkak të vonesës, nga të cilat rreth 82 milion lekë TVSH e pashlyer dhe 44 milion lekë gjoba për tejkalim të afateve;

Rreth 15.6 milion lekë detyrime, që burojnë nga tatim-fitimi, bashkë me gjobën për shkak të vonesës;

Rreth 5.6 milion lekë Tatimi në Burim, bashkë me gjobën për vonesat;

Rreth 39 milion lekë detyrime të papaguara të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, bashkë me gjobën përkatëse për vonesat.

Në total, detyrimet e “Birra Tirana” sh.a. arrijnë në rreth 188 milionë lekë, ose rreth 1.7 milion euro. Për arkëtimin e tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur masën e bllokimit të llogarive dhe pasurive të tjera në emër të kompanisë “Birra Tirana” sh.a.

Video