Qindra qytetarë protestuan sonte përpara Kryeministrisë ndaj rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të shportës së konsumit.
Ata thanë se janë të gatshëm të marrin përsipër kostot e krijuara nga lufta në Ukrainë, por jo të përfitohet nga kjo situatë për të rritur abuzivisht çmimet. Protestuesit kërkuan nga qeveria që të ndërhyjë përmes masave për të lehtësuar bizneset dhe konsumatorët, ashtu siç ka ndodhur në vendet fqinje.
E ndërsa të gjitha vendet kanë marrë masa ndaj krizës, disa shtete me paketa ekonomike dhe disa shtete duke ulur akcizën e naftës, vetëm qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë masë duke u justifikuar se nuk ndërhyn dot në treg.
Por ironia është se ndërsa Shqipërinë e ka kapluar kriza, anijet dhe jahtet e huaja furnizohen në portet detare të Shqipërisë me karburant me çmim të bursës dhe pa akcizë.
Madje edhe në këto ditë krize, jahtet vazhdojnë të furnizohen me naftë, siç tregon kjo video e voxnews.
Jahtet luksozë që furnizohen në portin e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit i përkasin miliarderëve rusë e arabë që për dy orë (sepse ndalohet të qëndrojnë më shumë) duhet të furnizohen me aq naftë sa në një vend tjetër do t’i kushtonte 200, 300, 500 mijë dollarë më shumë.
Nafta që u jepet pothuajse falas anijeve të huaja, kalon edhe masën e naftës që qeveria ka vendosur në dispozicion për fermerët.
Brenda një jave çmimi i karburantit në vendin tonë ka pësuar dy rritje të ndjeshme, çka më pas është shoqëruar edhe me rritje të çmimeve të disa produkteve ushqimore.