Inceneratorët, Gjiknuri flet për Zoton dhe Mërtirin: Nuk kam udhëtuar asnjëherë me ata

22 February 2022, 19:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inceneratorët, Gjiknuri flet për Zoton dhe Mërtirin: Nuk kam

Edhe ish-ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka dëshmuar sot në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

I pyetur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku, Gjiknuri është shprehur se nuk e njeh Stela Gugallian, ndërsa Mirel Mërtirin thotë se e njeh vetëm si fytyrë.

Kurse përsa i përket Klodian Zotos, Gjiknuri deklaroi se e ka takuar disa herë dhe e njeh prej disa vitesh, që në vitin 2003 kur kanë punuar të dy në administratën shtetërore.

“Gugallian nuk e njoh, Mërtirin e njoh si fytyrë, Zoton e kam takuar disa herë në cilësinë e ministrit kur kam vajtur për të vizituar impiantin e Elbasanit në vitin 2017. E kam takuar dhe njëherë tjetër në zyrë në lidhje me një plan tjetër që kam pasur për një fabrikë qelqi, nuk e di se çfarë ndodhi me të. Më ka qëlluar të punoj me të në vitin 2001 në Ministrinë e Mbrojtjes. Këto janë njohje rrethanore që nuk kanë të bëjnë me lidhje të afërta. Unë 28 vjet punë në shtet dhe privat. Dua të ndaj lidhjet shoqërore nga ata profesionale. Jeta më ka dhënë që të njoh Lulzim Bashën që 16 vjeç në gjimnaz”, tha Gjiknuri.

I pyetur nga kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar Jorida Tabaku nëse ka udhëtuar ndonjëherë me ta, ish-ministri Gjiknuri e mohoi një fakt të tillë, dhe për këtë shtoi se lëvizjet jashtë Shqipërisë i ka të faktuara.

“Nxora nga TIMSI pas kërkesës time të gjitha udhëtimet dhe rezultojnë mbi 137 dalje, 137 hyrje, 98% e tyre janë udhëtime të punës. Rezultojnë nga gjithë këto pretendime 4 ose 5 data që përkojnë me datat që thotë z.Bardhi. Nuk e di a përkojnë me Mërtirin apo Zoton sepse bëhet fjalë për transport publik. Shqipëria ka vetëm një aeroport në dalje. Data 21.3.2018 ku ndodhem unë? Ndodhem në samitin e Sofjes me Sekretaren e Transportit të Bashkimit Europian dhe ministrat e Europës Juglindore. Kthimi 21 Mars. 23.1.2017 në Singapor forumi i investimeve Shqipëri-Singapor. 1.3.2016 forumi në Baku ku janë ministrat e TAP. Kanë deklaruar për mua sikur kam udhëtuar privatisht me ta. Nuk kam asnjë udhëtim privat dhe nuk kam organizuar udhëtime me personat në fjalë. Nuk e mohova që i njoh. Kam bërë vizita zyrtare për datat e deklaruara nga Bardhi”, deklaroi Damian Gjiknuri.


Video