I jepte tendera kompanisë së tij, GJKKO lë në burg ish-kreun e ARRSH-së Evis Berberi

30 July 2024, 16:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I jepte tendera kompanisë së tij, GJKKO lë në burg ish-kreun
Evis Berberi

GJKKO ka lënë në burg ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

Berberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash pasi dyshohet se tenderat e ARRSH-së, i përfitonte kompania e tij e ndërtimit.

GJKKO, me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri ka vendosur vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj ish-drejtorit të ARRSH.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Evis Berberi më datë 14.06.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit në hetim Evis Berberi për procedimin penal me nr.214/2023”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenet 246/6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 370, datë 30.07.2024, vendosi:

Verifikimin dhe marrjen e informacionit nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për rastin objekt gjykimi.

Vazhdimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj shtetasit Evis Berberi me anë të vendimit Nr.21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, miratuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me anë të vendimit Nr.16, datë 25.04.2024.

Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Tiranë, më datë 30.07.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


Video