
Akil Nerjaku ishte shënjestra e atentatit të dështuar me snajper dje në zonën e plazhi në Durrës. Ai është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje dhe është liruar më pas nga gjykata.
Si ndodhi ngjarja?
Nerjaku ka qenë duke lëvizur mesditën e djeshme në këtë zonë në momentin që është qëlluar më një plumb.
Plumbi nuk ka e kapur shënjestrën, pasi ka përfunduar në një automjet që lëvizte në këtë zonë, me targa të Maqedonisë së Veriut.
Para hetuesve, Nerjaku ka deklaruar ka se dyshime që të jetë qëlluar nga një furgon, i cili ka qenë duke lëvizur në anën tjetër të rrugës. Ndërkohë janë sekuestruar edhe kamerat sigurisë së zonës.
Kush është Akil Nerjaku?
Akil (Gentjan) Nerjaku rezulton i arrestuar vetëm njëherë për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se është i njohur nga forcat e rendit si person me precedentë penalë. Nerjaku, i cili ka ndryshuar edhe emrin, u prangos nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017 në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë. Në pranga përfundoi edhe një shtetas tjetër M.F.
“Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, që drejtohej nga Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan, 2 armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, automjeti që ata udhëtonin dhe 6 telefona celularë”, sqaronte Policia në atë kohë.
Nga ana e tij, Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. I arrestuari Fierza u evidentua në një raport të Ministrisë së Brendshme, si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012.
Ai deklaroi në atë kohë që i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën. “Pistoletën e gjeta te depozitat e ujit ku po pija kafe me Gentianin. Isha drejtuar për në komisariat për ta dorëzuar atë”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Ndërsa shoku i tij Gentjan Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj.
Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun. Në tetor të atij viti, në pranga përfundoi edhe një oficer policie, i cili akuzohej se kishte favorizuar që Nerjaku të merrte leje për armën e zjarri, pavarësisht se ishte i skeduar si person me precedent.
SHÇBA-ja në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit kreu një hetim gati dyjavor për nënkomisar Gj. A, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës. Ky punonjës ka përpiluar vërtetimin e besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale Gentian Nerjaku, i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë.