Kompjuterët e sekuestruar në zyrat e Armand Shakajt kanë nxjerrë në dritë të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke i dhënë një drejtim të ri hetimeve për vrasjen e Eglant Koçit.
Sipas informacioneve paraprake, provat e gjetura forcojnë dyshimet se krimi mund të ketë pasur motive financiare.
Pajisjet elektronike janë analizuar në Laboratorin Kriminalistik, ku ekspertët kanë arritur të rikuperojnë materiale që konsiderohen me rëndësi për zbardhjen e ngjarjes.
Mbi bazën e këtyre provave, grupi hetimor po shqyrton edhe mundësinë e ndryshimit të akuzës aktuale nga 'vrasje me dashje' në një vepër penale më të rëndë.
Sipas hetimeve, Armand Shakaj dyshohet se vrau mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas hodhi trupin në një humnerë në zonën e Elbasanit.
Trupi i pajetë u gjet rreth dy javë më vonë në gjendje të avancuar dekompozimi, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se viktima ishte qëlluar me një plumb në kokë.
Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në arrati. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se po zhvillohen kontakte me familjarët e tij, me qëllim bindjen për t’u vetëdorëzuar para autoriteteve.