
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar për mediat lidhur me situatën e krijuar nga gripi i shpendëve.
AKU thotë se që prej shfaqjes së rasteve të gripit të shpendëve në vende të ndryshme të Europës, prej disa javësh, AKU ka qenë në gatishmëri dhe kontrolle të vazhdueshme të produkteve në tregjet shqiptare.
“Prej 5 javësh monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe raportohet lidhur me gjetjet nëpër tregje, dyqane mishi për gjurmueshmërinë, dokumentacionin e rregullt, certifikatat veterinare. Me marrjen e informacionit nga AKVMB, AKU është në terren për të monitoruar masat e marra nga shërbimi veterinar duke garantuar konsumatorin për produktet e nxjerra në treg dhe sigurinë ushqimore”.
Deri tani, sipas AKU, nuk është evidentuar asnjë rast problematik, si në dokumentacion ashtu edhe në etiketim të produktit, si dhe kushtet e ruajtjes.
AKU siguron “konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve të gjurmueshmërise dhe janë të verifikuara nga inspektorët, të cilët janë në terren”, ndërsa fton konsumatorët të drejtohen në pikat e certifikuara të shitjes së mishit.