“Gjyqe popullore nga SPAK”, e pranon dhe Kraja: Nuk i kemi marrë në pyetje, përpara arrestimeve!

25 November 2022, 18:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Gjyqe popullore nga SPAK”, e pranon dhe Kraja: Nuk i kemi
Arben Kraja

Pak ditë më parë, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e ka konsideruar si skandal arrestimin e të dyshuarve për inceneratorin e Fierit, para se të merreshin në pyetje. Manjani deklaroi se SPAK po vepron mbi gjyqe popullore dhe po arreston atë që do populli dhe jo mbi atë që ka prova dhe fakte.

Këtë gjë e ka pranuar ditën e sotme edhe kreu i SPAK, Arben Kraja. Gjatë një interviste televizive, Kraja deklaroi se ata janë arrestuar pa u marrë në pyetje, por sipas ligjit, iu jepet e drejta që të flasin më pas.

Pavarësisht pranimit të arrestimeve pa u marrë fillimit në pyetje të të dyshuarve, Kraja e mohoi se SPAK ka vepruar me gjyqe popullore.

“Hetimi nuk bëhet për një ditë dhe as me një veprim. Urdhër-arrestet i kërkon prokurori, i miraton gjykata mbi bazën e provave që ndodhen në dosje. Hetimi nuk mbaron aty asnjëherë, por vijon deri në momentin kur prokurori mendon se nuk ka mbetur më asnjë provë tjetër për t’u marrë dhe për t’u vlerësuar. Ja bën prezent të gjithë personave që janë të akuzuar dhe pastaj palët paraqiten para gjykatës. Edhe pas urdhër-arresteve mund të ketë veprime të tjera.

A merren në pyetje personat para se të arrestohen? Kjo varet, rast pas rasti. Në varësi të provave, apo taktika që ndjek në hetim prokurori bashkë me policinë gjyqësore. Nuk ka një formulë të qartë. Një person mund të arrestohet edhe pa u marrë në pyetje, pasi mund të ketë prova të qarta për t’u marrë në pyetje. Në vijim, patjetër që ligji e parashikon që ai të flasë.

Nuk e di ku është parë gjyqi popullor. Se ne në çdo studio dëgjojmë ose u arrestua ky dhe nuk u arrestua ky tjetri. Pse SPAK-u është i ngadaltë, se duhet të ishte më i shpejtë e më agresiv. Duhet të kemi parasysh se të gjithë prokurorët e SPAK kanë vepruar vetëm në bazë të ligjit, të provave dhe të bindjeve të tyre.” tha Arben Kraja.


Video