“Gërdeci”, Mediu: Pse kërkova të merren parasysh dëshmitë e dhëna në SHBA

18 June 2025, 17:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Gërdeci”, Mediu: Pse kërkova të merren parasysh
Mediu duke folur per mediat

Ditën e sotme është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore për çështjen “Gërdeci”, ndërsa në sallë ka qenë i pranishëm edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ai është shprehur se gjashtë kongresmenë amerikanë kanë kërkuar që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës të dhëna nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të merren parasysh në proces.

“Gjashtë kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës, të dhëna vullnetarisht në SHBA në formën e “affidavit”-eve (deklarime nën betim që kanë vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane), të merren parasysh në procesin “Gërdeci””, u shpreh Mediu ghatë seancës.

Ky veprim i tij vjen pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi thirrjen e tyre si dëshmitarë.

Mediu, pas daljes së tij nga ambientet e GJKKO-së, ka dhënë një deklaratë për shtyp, lidhur me atë se çfarë është diskutuar brenda gjykatës së posaçme.

“Së pari, sa i përket debatit gjyqësor. Unë e bëra të qartë se është në kundërshtim të ligjit, që ministri i mbrojtjes, i cili është autoritet civil t’i kërkohet që të njohë kalibrat. Për më tepër, e theksoj e një gjë tjetër, që nuk ka asnjë akt ligjor që mat kalibrat e mëdhenj e të vegjël, e ka një praktikë të përcaktuar tashmë në Ministrinë e Mbrotjes, në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare e me partnere të NATO-s, ku kalibrat 20-160 mm, cilësohen si kalibra të vegjël”, tha ai.

Ish-ministri, deklaroi se ekspertët e posaçëm, janë shprehur se nuk ka akte që përcaktojnë përgjegjësinë e ministrit për transportin e kalibrave.

“Më tej pastaj, ajo se çfarë ka të bëjë me transportin e municioneve. T’i thuash ministrit që ti duhet të përcaktosh me urdhër, se urdhri i ministrit të mëparshëm… Një urdhër ministri kur del, ka një strukturë zbatuese. Thjesht e qartë, mendoj se ministri është përgjegjës përballë Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve edhe vendimeve të qeverisë. Aktet që kanë dalë nga ministri kanë përcaktuar strukturat detyruese raportuese, sidomos në rastin e ministrisë së mbrotjes. Kjo është për sa i përket debateve. Por, duhet të them që në mënyrë të qartë, edhe ekspertët ushtarakë edhe ekspertët që merren me transportin, kanë thënë që nuk ka akte që përcaktojnë përgjegjësi të ministrit për sa i përket transportit të kalibrave. Këto janë çështje të rregullorëve”, tha ai.

Po kështu, u ndal dhe tek kërkesa e tij për dëshmitarët.

“Ne kemi kërkuar që në listën tonë të dëshmitarëve, të ishin dhe ata që na kanë asistuar, të cilët janë ushtarakë të lartë, të nderuar të Shtetet të Bashkuara të Amerikës. Komandanti suprem i NATO-s, kanë qenë po ashtu dy ekipe amerikane të cilat na kanë asistuar në përgatitjen e të gjitha akteve ligjore sa i përket politikave të mbrotje”, tha ai.

SPAK akuzon Mediun se shpërdoroi detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjell avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur këtë dosje, i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar më herët se pretendimi i prokurorisë është i pabazë.

Seanca e radhës për Mediun, do të mbahet me datë 24 qershor, ora 13:00.


Video