Fredi Beleri ka marrë leje nga Drejtoria e Burgjeve në Shqipëri për t'u betuar si anëtar i Parlamentit Europian, raportojnë mediat greke.
Transmetuesi shtetëror grek ERT tha se Beleri, i cili u zgjodh eurodeputet në Greqi për partinë qeverisëse Demokracia e Re, do të fluturojë të hënën për në Athinë dhe më pas do të transferohet në qytetin francez të Strasburgut. Ai pritet të mbërrijë në aeroportin e kryeqytetit grek, Eleftherios Venizelos në orën 12:30.
Më pas ai do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare të Parlamentit Evropian dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarët e Parlamentit Evropian dhe Komisionit.
Vitin e kaluar, Beleri u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, por humbi mandatin dhe tani po vuan dënimin me dy vjet burg për blerje votash në zgjedhje.