U qëllua me armë teksa po shkonte drejt makinës së tij, mbrëmjen e sotme në lagjen “Rus” të Shkodrës, por shpëtoi mrekullisht.
Alban Bruçi ishte vetëm pak metra larg banesës së tij kur një person i paidentifikuar hapi zjarr duke qëlluar në drejtim të tij. Plumbi goditi njërin xham të makinës tip “Audi A3”.
Ai rezulton i proceduar më parë për “vrasje të mbetur në tentativë”, pasi në vitin 2016 hapi zjarr ndaj një personi që po udhëtonte me makinë në afërsi të teatrit “Migjeni”.
Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po hetojnë për zbardhjen e saj.
Njoftimi i policise Shkodër:
“Rreth orës 21:30, shtetasi A. B., 25 vjeç, ka kallëzuar se, në lagjen “Partizani”, Shkodër është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit tip “Audi”.
Nga të shtënat nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli edhe në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve.