Kanë dalë pamjet nga vendi i ngjarjes dhe detaje të reja nga atentati i regjistruar mbrëmjen e sotme në Vlorë ndaj dy efektivëve Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj.
Mësohet se ndaj dy policëve është qëlluar në lëvizje e sipër ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja. Ngjarja është regjistruar në lagjen “Partizani” dhe autorët kanë përfituar nga errësira për të qëlluar efektivët jashtë shërbimit.
Policia ka marrë në pyetje rreth 10 dëshmitarë të cilët kanë treguar dhe llojin e mjetit të atentatorëve dhe po sipas dëshmitarëve ata kanë qëlluar në lëvizje dhe më pas janë larguar drejt fshatrave të Vlorës.
Sipas autoriteteve zyrtare autori, ende i paidentifikuar ka qëlluar nga një automjet tip “Volkswagen” me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” ku po udhëtonin dy efektivët, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk ka kapur dy efektivët edhe pse autori ka qëlluar në pjesën e parme të automjetit.
Policia po heton mbi dy pista, atë për shkak të detyrës por edhe mbi konfliktet personale që mund të kenë patur dy efektivët. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Nuk dihet se cili mund të ketë qenë objektivi i atentatit.
Anxhelo Breshani është me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, ndërsa Nako Mehmetaj me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë.