Emisioni prestigjioz 'World Question' vjen në Shqipëri, gazetari i BBC flet për Top News (VIDEO)

10 September 2024, 11:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Emisioni prestigjioz 'World Question' vjen në Shqipëri,
Jonny Dymond

Programi prestigjoz BBC World Questions mbërrin në Shqipëri. Nën moderimin e gazetarit Jonny Dymond 4 panelistët, politikan, analist dhe aktivist do t’ju përgjigjen pyetjeve të publikut i cili përmes pyetjeve do të transmetojë realitetin shqiptar.

Programi ka një audiencë botërore shumë të gjerë, duke përfaqësuar një vitrinë të mirë për Shqipërinë dhe natyrisht edhe për të ftuarit, njëri prej të cilëve është Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë. Kjo mesa duket ka shqetësuar jo pak kundërshtarët e tij në mazhorancë dhe opozitë.

Në një intervistë për Zona Zero në Top News, gazetari i BBC pyetet për përzgjedhjen e Lulzim Bashës si pjesë e panelit prestigjoz, duke shtuar se ka pasur një debat mbi këtë çështje, gjë që tregon përpjekjet e ethshme për të mos humbur kohë për të goditur kreun e euroatlantikëve, promovimi i të cilit në media prestigjioze ndërkombëtare çan rrethimin që i bëhet çdo ditë në mediat vendase.

Por, pas skandalit McGonigal, shefit të FBI-së që u përdor nga mazhoranca për të goditur Lulzim Bashën, kjo përpjekje për anatemim përmes sulmeve të sponsorizuara nga grupet e interesit në Shqipëri duket fare e parëndësishme dhe fëminore, që vetëm i rrit vlerat Bashës.

Në përgjigjen e tij për gazetaren e Top News, Geriola Hate, Jonny Dymond, mbron përzgjedhjen e Lulzim Bashës sepse e cilëson një figurë të lartë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pjesë nga intervista:

Geriola Hate: Ta kalojmë te pyetjet e vështira. Ka pasur reagime nga Lulzim Basha në rrjetet sociale, për faktin pse ai është në panel. Cili ishte kriteri juaj në përzgjedhjen e panelit dhe cila ishte arsyeja që u zgjodh Basha dhe jo dikush tjetër nga fraksionet e Partisë Demokratike?

Jonny Dymond, BBC: Gjithmonë duhet të jetë një përfaqësues i qeverisë, të cilin e kemi dhe patjetër duhet një përfaqësues i opozitës. Kjo e fundit ka ndryshuar, thënë kështu. Ka pasur shumë çështje brenda dhe jashtë gjykatave.

Lulzim Basha është figurë e lartë kombëtare dhe ndërkombëtare, ka qenë edhe kryebashkiak i Tiranës. Ka një anglishte të shkëlqyer dhe jam i sigurt që do të përfaqësojë gjerësisht opozitën kundrejt qeverisë, si dhe duke përfaqësuar pjesën e tij të opozitës. Për ne, ishte vendim shumë i vështirë dhe në njëfarë kuptimi, kurrë nuk do të ishim 100% të saktë.

I kuptoj kritikat dhe shqetësimet, por në fund duhet marrë një vendim. Për shkak të vjetërsisë dhe përfaqësimit në vend, pasi ai është pjesë e opozitës, gjykuam se ai ishte njeriu i duhur për këtë gjë. E kuptoj që disa nuk janë dakord, por ky është emision dhe jo fizikë bërthamore. Është art, jo shkencë. E kuptoj mospajtimin, por është një vendim i menduar gjatë dhe jemi të lumtur që ai është pjesë e panelit.

Geriola Hate Keni pasur kontakt me persona nga fraksioni i Sali Berishës, apo pjesë të tjera të opozitës? Ka pasur diskutime mes tyre?

Gazetarja e BBC: Po, ka pasur. Kemi kontaktuar edhe me skuadrën e Sali Berishës dhe i qartësuam vendimin e marrë, për shkak se ai është në arrest në shtëpi, dhe nuk mund të na bashkohet. Që kur nisëm kërkimet për programin, ai ishte në arrest në shtëpi. Ende është, ndaj nuk vjen dot.

Por anëtarë dhe simpatizantë të tij ishin shumë të hapur. Ju dërguam çdo informacion. Ata mund të vijnë në program, të jenë pjesë e publikut. Ne nuk i kemi përjashtuar aspak.


Video