E fshehur brenda gomave, tentohet të kalohen 16 pako me drogë në Kapshticë, arrestohet një person (EMRI)

9 November 2022, 17:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

E fshehur brenda gomave, tentohet të kalohen 16 pako me drogë në

9.2 kilogramë lënde narkotike kanabis sativa janë tentuar të kalohen drejt Greqisë përmes pikës kufitare të Kapshticës pasditen e sotme, por është zbuluar nga policia kufitare.

Droga ishte e ndarë në 16 pako dhe ishte fshehur brenda dy gomave rezervë të një makine për t’u transportuar më pas drejt Greqisë.

Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, 64 vjeçarin Spotiraq Çipi. Blutë e Korçës po kryejnë hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për evidentimin e personave të tjerë të cilët mund të jenë përfshirë.

Njoftimi i Policisë

Kapshticë/Finalizohet operacioni antidrogë "Restart 12".

Faza e 12-të e këtij operacioni, zhvilluar nga Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me DVP Korçë, për parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të trafikimit të lëndëve narkotike, drejt Greqisë.

Vihet në pranga transportuesi i lëndës narkotike.

Sekuestrohen 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Restart 12". Si rezultat i tij, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

- S. Ç., 64 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, automjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin e mësipërm. Si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjet, përfshi edhe procesin e skanimit, në bagazhin e tij, në dy goma rezervë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 pako, me peshë 9.2 kg, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve", mbetur në tentativë.


Video