Policia gjermane ka arrestuar 23-vjeçarin shqiptar Fisnik Hoxha.
Ai është kapur nga njësitë speciale në Gelsenkirchen pasditen e sotme dhe akuzohet si autori i vrasjes së një 31-vjeçari turk rreth dy javë më parë. Sipas mediave gjermane, Fisnik Hoxha i kishte zënë pritë turkut në Kiel dhe hapi menjëherë zjarr ndaj tij.
Pas vrasjes ai u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet gjermane i druheshin arratisjes së tij për në Shqipëri. Policia gjermane kishte vënë në dispozicion 3 mijë euro shpërblim për atë që jepte informacion për kapjen e shqiptarit.
Policia nuk ka dhënë detaje se ku është fshehur dy javët e fundit 23 vjeçari.
Si ndodhi ngjarja dy javë më parë?
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 qershorit pak para mesnate në rrugën “Gustav-Schatz-Hof” në qytetin e Kielit, ku shqiptari ka qëlluar disa herë mbi 31-vjeçarin turk, i cili ndërroi jetë në spital pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të mjekëve për ta shpëtuar. Pas ngjarjes, i riu shqiptar u larguar nga skena e krimit në drejtim të paditur. Ndërsa autoritetet gjermane e shpallën në kërkim duke ofruar një shpërblim prej 3 mijë euro për këdo që jep informacion. Ndërsa autori Fisnik Hoxha u arrestua pasditen e sotme nga forcat speciale gjermane.