Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka dërguar këtë të premte një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkon verifikim të thelluar për kryebashkiakun e Divjakës Fredi Kokoneshi.
Në shkresën dërguar Kryeprokurorit Olsian Çela, KQZ thekson se nga verifikimi i dokumenteve të dorëzuara nga Kokoneshi në momentin e kandidimit për kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vitit 2019, nuk ka asnjë të dhënë që ka të bëjë me kushtet e ndalimit për këtë kandidaturë.
Më herët, edhe grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi kërkesë në Prokurorinë e Përgjithshme për verifikimin e figurës së kryebashkiakut socialist.
Sipas PD-së, ai rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qenieve njerëzore dhe prostitucion në Itali. Kërkesa është firmosur nga një grup prej 15 deputetësh ku i kërkohet organit të akuzës të ndjekë procedurat sipas ligjit të dekriminalizimit.