Dy punëtorë të vdekur në tre ditë, hidhet bojë e kuqe tek "Ministria e Punës"

21 May 2023, 15:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dy punëtorë të vdekur në tre ditë, hidhet bojë e
Dera me bojë

Aktivistë të partisë "Lëvizja Bashkë" të drejtuar nga Arlind Qori kanë hedhur ditën e sotme bojë të kuqe në shenjë revolte në derën e jashtme të Ministrisë së Punës, e cila është jashtë funksionit.

Ky veprim simbolik është bërë për shkak të humbjes së jetës së dy punëtorëve, në tre ditët e fundit, pasi kanë rënë nga lartësia e pallateve në ndërtim. Më konkretisht, 3 ditë më parë, një punëtor 60-vjeçar ra nga skela e pallatit në Vlorë, ndërsa sot në Tiranë u rrëzua nga skela një punëtor 50-vjeçar. 

Mbi protestën e sotme të "Lëvizjes Bashkë" ka reaguar në rrjetet sociale dhe kreu i saj, Arlind Qori, i cili shkruan se asnjë institucion nuk do t'ia dijë për vdekjen e punëtorëve.

Postimi i plotë:

DY PUNËTORË NDËRTIMI TË VDEKUR NË TRE DITË

Asnjë institucion publik nuk do t’ia dijë. Pasi i ka vënë drynin Ministrisë së Punës dhe është mburrur për mungesën e sindikatave, Edi Rama vazhdon i bie dajres. Nëpër media kuitet për fatin e Sali Berishës. Të tjerët vazhdojnë bëjnë hesape pas rezultatit të zgjedhjeve.

Lëvizja BASHKË është e vetmja parti politike që e sheh me rëndësinë e duhur çështjen punëtore. Jo vetëm në terma humanitarë: si t’i shpëtojmë punëtorët nga vdekja dhe gjymtimi në punë? As thjesht në qasje politike: si të mundësojmë organizimin e punëtorëve për të drejtat e tyre? Por edhe në dimension ekonomik: Ekonomia shqiptare po dobësohet prej emigrimit masiv të forcës punëtore më vitale.

Çdo ditë të ekzistencës tonë politike ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e punëtorëve, për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe demokratizimin e shtetit.


Video