Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar pasditen e sotme në Shkodër ku u vra 57-vjeçari Ismet Çekorja.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai është qëlluar me breshëri arme zjarri në mes të rrugës në lagjen Kiras dhe ka marrë 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit.
Çekorja ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Shkodrës.
Nga të dhënat e para, dyshohet se ekzekutori i 57-vjeçarit ishte një person i vetëm, i cili pas krimit u largua nga zona dhe humbi gjurmët.
Blutë e Shkodrës kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarë në zonë për të marrë ndonjë informacion të vlefshëm mbi identifikimin e autorit.
Ismet Çekorja është babai i Bajram Çekores, i cili është shpallur në kërkim për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçajt, ngjarje e ndodhur po në Shkodër mbrëmjen e 25 Gushtit, në bashkëpunim me Tornado Fushën.
Katër ditë më parë, Ismet Çekorja i cili u ekzekutua sot dha një intervistë për mediat ku shfajësoi të birin, ndërsa akuzoi se po sulmoheshin nga banditët me pushtet.
Ai akuzoi gjithashtu dhe policinë se i rrethon shtëpinë sa herë në Shkodër ka ngjarje kriminale.