Dritan Goxhaj, i arrestuar dje në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës është djali i Dilaver Goxhajt, ish-kolonel i njohur i ushtrisë shqiptare.
Të dy babë e bir shkuan vullnetarisht në Kosovë për të ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Arrestimi ndodh sepse Shqipëria e njeh juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Gazetarja Rudina Xhunga, e cila ka intervistuar disa herë Goxhajn thotë se ka patur një komunikim me babain e Dritanit i cili ende nuk e di se çfarë ka ndodhur.
“Ende nuk dihet akuza. Një prej akuzave që ka qarkulluar në media është se Dritan Goxhaj ka nxjerrë emra dëshmitarësh për Gjykatën. Menjëherë pasi mësova lajmin, kontrollova intervistat e tij dhe ai nuk flet me emra. Dritani është një djalë modest, nuk i pëlqente të mburrej. E vetmja arsye që e detyronte Dritanin të fliste ishte dalja e UÇK përpara gjyqit” – shkruan Xhunga.
Gazetarja shton se tani ndjehet në faj që ka bërë intervista publike me ata si Dritani dhe bën apel për të mos heshtur
“Dritani mund të jetë i pari i arrestuar në Shqipëri për luftën e UÇK. Ka jo pak shqiptarë që kanë bashkëpunuar me UÇK dhe unë ndjehem përgjegjëse që kam folur për ta.
Unë kam folur për ta në këto emisione duke besuar se është e padrejtë që këto njerëz që kanë shkuar vullnetarisht, ndihmuan UÇK, lanë jetën në luftë, nuk janë nderuar nga shteti shqiptar.
Shteti shqiptar nuk e ka njohur atë luftë. Dhe ky është turp. Por unë sot ndjehem në faj që kam nxjerrë emrat e tyre, pasi ata sot janë të rrezikuar. Ata njerëz mund të merren çdo ditë nga Prokuroria Speciale. Dhe shteti shqiptar nuk i mbron.
Të gjithë këto njerëz që e bënë luftën për idealizëm, kanë rrezikuar, nuk kanë përfituar asgjë, tani mund të përfundojnë në burgjet e Gjykatës Speciale të Kosovës. Ndaj duhem të flasim. Sot, para se të jetë vonë. Është në nderin tonë të flasim sot. Sepse momente të tilla na turpërojnë”.