Bashkia e Tiranës hap garën për ndërtimin e Teatrit Kombëtar

26 July 2022, 18:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bashkia e Tiranës hap garën për ndërtimin e Teatrit
Godina e Teatrit Kombëtar para se të shembej

Bashkia e Tiranës ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Lajmin e ka bërë me dije kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Veliaj deklaroi se gara për ndërtimin e Teatrit u shty për shkak të krizës së çmimeve që solli një rritje të produkteve që përdoren për ndërtim, si hekuri dhe betoni, duke shtyrë ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

"Vendimi i parë ka të bëjë me reflektimin e një ndryshimi në buxhet që ka të bëjë me ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Asnjë nuk e kishte pritur që lufta në Ukrainë do të sillte trazim total të tregjeve, sidomos në çmimet e hekurit, çelikut dhe të betonit. Kryesisht këto kanë elementët bazë. Prandaj ne e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e para luftës.  Kështu që i kemi kërkuar Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave që të indeksojmë çmimin, pra që të indeksojmë me çmimet që janë sot, sepse ndryshe ne rrezikojmë që të na dështojë kjo garë dhe të vazhdojmë me përsiatjet e betejave për teatrin, ku ju e dini fare mirë që futet edhe politika dhe njerëz që nuk kanë qenë ndonjëherë në teatër.

Duhet të reflektojmë ndryshimet në buxhet duke reflektuar çmimet e tregut të sotëm duke pasur parasysh sesi ka kapërcyer bursa sot. Kjo çështja e teatrit është shumë sensitive dhe njerëzit janë emocionalisht të përfshirë disa duan projektin e ri dhe disa të vjetrin. E kuptoj rëndësinë e detyrës time”, tha Veliaj. 

Kujtojmë se pas tri vitesh përplasje Teatri Kombëtar u shemb në orët e para të 17 majit 2020. Rreth orës 04:30, dhjetëra forca policie rrethuan godinën e zbrazën për t'iu lënë më pas vendin fadromave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që nisën rrafshimin e të dyja godinave, atij Eksperimental dhe Kombëtar, ligjërisht një kompleks. Grupi i artistëve të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë u shoqëruan për disa orë në komisariat, por më pas u liruan.


Video