Nga aksidenti tragjik i regjistruar sot në aksin Rrogozhinë-Elbasan, në vendin e quajtur "Bishti i Zhurit", mbeti viktimë 27-vjeçari Festim Meçe.
Mjeti tip "Benz" që ai drejtonte është shkatërruar i gjithi dhe mësohet se efektivët e zjarrfikëses kanë punuar për disa minuta me radhë për nxjerrjen e trupit të pajetë të 27-vjeçarit. Është dashur sharrimi i mjetit për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës.
Kamioni që është përfshirë në aksident ka qenë i ngarkuar me inerte, ndërkohë që drejtuesi nuk ka pësuar lëndime. Burime bëjnë me dije se drejtuesi i kamionit i identifikuar si shtetasi I.C është shoqëruar në komisariat në gjendje të rëndë psikologjike.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit fatal dhe rrethanat në të cilat ndodhi ai mesditën e sotme.